Shangai Shenhua ka bërë të ditur se është në bisedim me Didier Drogba, ndërsa drejtuesit e klubit duan të rindërtojnë sulmin e Çelsit, skuadër nga e cila një muaj më parë morën Nikolas Anelka.
Në fakt, ishte klubi tjetër kinez, Dalian Aerbin, që i bëri ofertën e parë sulmuesit nga Bregu i Fildishtë, duke i propozuar atij një rrogë prej 200 mijë stërlinash në javë. Por tani Shenhua duket favorit në garën e ndezur për të siguruar shërbimet e 33 vjeçarit.
Një nga anëtarët e bordit të klubit kinez, Zhou Jun, tregoi për mediat aziatike se akordi ishte shumë pranë mbylljes.
“Kjo është njëlloj si të bësh një film. Kur yje si Xheki Çen, Xhet Li dhe Zhou Xun konfirmojnë pjesëmarrjen, atëherë edhe aktorët e tjerë janë më të qetë”, u shpreh ai duke lënë të kuptohet se Drogba kishte komunikuar me Anelka.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë reagimi i Çelsit për transferimin e mundshëm të këtij futbollisti, i cili aktualisht po merr pjesë në Kupën e Afrikës me kombëtaren e tij. Kontrata e Drogba përfundon në qershor dhe Vijas Boas ka dëshirë që ta mbajë atë deri në verë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 16:47