Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, ka konfirmuar se tregtia e birrës do të lejohet pranë 12 stadiumeve ku do të luhen ndeshjet e Kupës së Botës në Brazil.
Votimet për Ligjin e Kupës së Botës kanë ngjallur polemika mes organizmit që drejton futbollin botëror dhe qeverisë braziliane për këtë çështje, pasi Brazili ndalon shitjen e pijeve alkoolike panë ambienteve sportive.
Miratimi i ligjit është shtyrë, pasi FIFA kërkon me çdo kusht që të mbrojë interesat e sponsorëve të saj dhe kërkon që të bëhet përjashtim për birrën.
“Pijet alkoolike janë pjesë e Kupës së Botës FIFA ndaj ne do t’i kemi ato gjatë aktivitetit. Më falni nëse duket arrogante por kjo është diçka për të cilën nuk do të negociojmë”, tha Valke para gazetarëve.
“Fakti që ne kemi të drejtë të shesim birrë duhet të jetë i përfshirë në Ligj”, tha ai. Brazili ka hequr shitjen e pijeve alkoolike pranë ambienteve sportive që në vitin 2003, për të ulur në këtë mënyrë dhunën në stadiume.
Por FIFA është e shqetësuar pasi një gjë e tillë do të dëmtojë direkt një prej sponsorëve më të vjetër të saj, birrën amerikane “Budweiser”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 10:52