Jeta e natës e Ronaldinjos është bërë shqetësuese për klubin e Flamengos, ndërsa trajneri Luksemburgo po provon në të gjitha mënyrat që të kontrollojë fantazistin brazilian. Sipas mediave braziliane, shpikja e tij e fundit është vëzhgimi i vazhdueshëm i kamerave të sigurisë së hotelit ku është grumbulluar ekipi në Londrina.
I pakënaqur nga paraqitjet e futbollistit, Luksemburgo ka krijuar një task-force për ta kontrolluar gjatë grumbullimit dhe për të zbuluar nëse takohet apo jo në mënyrë të fshehtë me femra.
Në këtë mënyrë, tekniku brazilian do të mund të provonte para drejtuesve të klubit se cila ishte arsyeja kryesore e formës së dobët të lojtarit.
Sipas “Globoesporte”, Luksemburgo ka kaluar 10 dhe 11 janarin duke parë me vëmendje futbollistin nëpërmjet kasetave të kamerave të sigurisë si dhe ka marrë në pyetje stafin e hotelit.
Përfundimi ka qenë zhgënjyes për të, pasi ka parë Ronaldinjon të vetëm duke bërë xhiro në hollin dhe korridoret e hotelit, i pashoqëruar nga ndonjë femër.
Pas kësaj ngjarje, gazeta braziliane i kanë vënë emrin “Sherlok Lukso” trajnerit të Flamengos, ndërsa tashmë të gjithë e kanë të qartë se ai nuk e duron dot Ronaldinjon dhe po bën maksimumin për ta larguar nga ekipi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 January 2012 14:40