Ish-trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti, është i bindur se për të kthyer në formë Fernando Torres, duhet që nga ky klub të largohet Didier Drogba.
Kanë kaluar 12 muaj që nga koha kur Torres u transferua nga Liverpuli për 50 milionë stërlina duke thyer çdo rekord të mundshëm të merkatos në Angli, por kësaj vlere nuk i është përgjigjur efiçenca e tij në fushën e lojës, pasi deri tani ai ka shënuar vetëm 5 gola.
Për këtë arsye, Ançeloti ka nxitur pasardhësin e tij, Andre Vijas-Boas, që të marrë vendimin për të larguar Drogba.
“Unë nuk dua të gjykoj punën e një kolegu por them vetëm që drejtimi i kësaj skuadre në një periudhë tranzicioni është i komplikuar. Merr rastin e Torres dhe krizës së tij. Nëse dëshiron që të investosh fuqimisht te ky lojtar, duhet që të shesësh Drogba”.
“Didier është si Filipo Inzagi te Milan. Ai masakron këdo që bëhet konkurrenti i tij. Kjo nuk është keqdashje, lojtarët janë të ndërtuar në mënyrë të tillë”, tregoi trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 January 2012 12:01