Kombëtarja shqiptare e futbollit ka humbur një tjetër talent premtues, të cilin me shumë mundësi do ta shohë si kundërshtar gjatë eliminatoreve të Botërorit 2014. Valon Berisha, mesfushori 18 vjeçar i Viking, ka zgjedhur përfundimisht Norvegjinë dhe është aktivizuar për herë të parë me kombëtaren e këtij vendi.
Talenti i padiskutueshëm i mesfushorit ka bërë që ai të debutojë në futbollin profesionist që në moshë shumë të re, duke u kthyer në një titullar fiks për skuadrën e Viking dhe duke arritur të bëhet pjesë e kombëtareve të moshave të Norvegjisë U-17, U-18, U-19 dhe U-21.
Pavarësisht interesit të akademive angleze për lojtarin me origjinë kosovare, ai vendosi të qëndronte në Norvegji ku i jepej mundësia të luante titullar në radhët e Viking. Ndërkohë, falë talentit të tij, Berisha tërhoqi vëmendjen e stafit të kombëtares së madhe, duke arritur të grumbullohet si pjesëtar i kombëtares në turneun “Kupa e Mbretit 2012” në Tajlandë.
Në këtë turne, me 15 janar erdhi edhe debutimi i tij më kombëtaren, gjatë ndeshjes Norvegji-Danimarkë 1-1, duke mbyllur përfundimisht çdo shpresë që ai të veshë fanellën kuqezi.
Në këtë mënyrë, pas kontingjentit gjigand shqiptar të Zvicrës, kombëtarja shqiptare e futbollit do të ketë një tjetër “kuqezi” si kundërshtar në eliminatoret e Botërorit 2012, një sinjal i qartë alarmi se eksodi i talenteve nuk është ndërprerë dhe se tani ai na prek në mënyrë të drejtpërdrejtë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 January 2012 19:29