Zhoze Murinjo ka bërë të qartë se askush nuk duhet të guxojë të kritikojë yllin e skuadrës së tij, Kristiano Ronaldo. Ky i fundit ka qenë në qendër të kritikave që pas ndeshjes së humbur 3-1 ndaj Barcelonës, por për trajnerin e madrilenëve, ai është duke dhënë maksimumin edhe atëherë kur nuk shënon në portën kundërshtare.
“Kam stërvitur Kristianon për më shumë se një vit e gysmë dhe nuk e di se sa gola ka shënuar për ne, gola të rëndësishëm si ai që na dha Kupën e Mbretit. Por a e dini cili ishte momenti më i mirë për mua? Pjesa e dytë ndaj Majorkës, ajo ishte loja e tij më e mirë”, tha Murinjo.
Sipas teknikut portugez, lojtari nuk duhet kritikuar në këtë moment pasi edhe nëse nuk shënon, ai po jep maksimumin në këtë skuadër.
“Ai punoi si një kafshë duke u kthyer në mbrojtje, duke shtyrë përpara apo duke rikuperuar topin. Ai ishte fantastik. Pas punës që bëri në këtë ndeshje askush nuk mund ta kritikojë atë. Kush kritikon Ronaldon do të ketë probleme me mua”, ishte kërcënimi i Murinjos. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 January 2012 17:00