Mesfushori holandez Roiston Drente, ka sulmuar publikisht drejtuesit e Realit të Madridit duke kritikuar mënyrën se si menaxhojnë merkaton e futbollistëve.
Sipas tij, ata largojnë lojtarët më të mirë dhe cilësorë, duke gabuar thuajse gjithmonë në përzgjedhjen e atyre që qëndrojnë.
“Shnajder, Huntelar, Roben, Van der Vart… I kanë larguar të gjithë njëri pas tjetrit. Kemi filluar të vëmë baste mbi atë që do të jetë largimi i radhës”, deklaroi mesfushori i cili është huazuar te Everton nga ekipi madrilen.
Sipas tij, largimi i lojtarëve bëhet pa një strategji të qartë. “Nuk kishte asnjë arsye për të larguar Shnajder. Mos vallë ai ishte më i keq se Kaka? Nuk besoj, Uesli ka treguar se është superior. Është e frikshme të mendosh të kundërtën. Të gjithë lojtarët tanë më të mirë largohen nga ky klub”, u shpreh ai duke aluduar për trajtimin që u është bërë futbollistëve holandezë nga madrilenët.
Drente e ka të qartë se nuk do të jetë më pjesë e këtij klubi. “Nuk e kaloj portën e hyrjes te Real Madrid për sa kohë që aty është Zhoze Murinjo. Por kjo nuk më intereson më, unë jam larguar përfundimisht nga kjo skuadër”, ishte deklarata e Drente që ka ngjallur mjaft polemika në Spanjë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 January 2012 12:41