Granit Xhaka është kthyer në objektin e dëshirave të shumë klubeve të mëdha evropiane. 19 vjeçari me origjinë kosovare i Bazelit ka tërhequr vëmendjen e gjigandëve të kontinentit të cilët janë gati të paguajnë shifrën që kërkon klubi zviceran për shitjen e tij.
Në radhën e “pretendentëve” ka hyrë edhe Juventusi, pasi mediat italiane kanë sqaruar se bardhezinjtë po bëhen gati të bëjnë një ofertë zyrtare për futbollistin.
Megjithatë, ata duhet të bëjnë llogaritë mirë me disa klube të tjera italiane, pasi edhe Milan e Lacio kanë kërkuar informacion për futbollistin.
Ndërkohë, rivali më tundues për të siguruar shërbimet e Xhakës mbetet Mançester Junajtid, pasi Sër Aleks Ferguson është një prej vlerësuesve më të mëdhenj të tij. Brenda merkatos së janarit ai do të autorizojë ofertën zyrtare prej 8 milionë eurosh për blerjen e futbollistit që luan me kombëtaren e Zvicrës. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 January 2012 18:34