Altin Lala i është shtuar listës së futbollistëve shqiptarë të cilët në këtë fillim viti përmenden për arsye që kanë të bëjnë shumë pak me sportin. Pas pështymës së Roshit në miqësore dhe “ftesës për duel” të Berishës, ka qenë radha e ish-kapitenit të kombëtares shqiptare të përmendet për një gjest antisportiv.
Gjithçka ka ndodhur gjatë miqësores së zhvilluar ditën e djeshme mes Hanover dhe Herenven në kampin përgatitor që të dy skuadrat po zhvillojnë në Portugali. Lala është aktivizuar në pjesën e dytë të takimit për ekipin gjerman por pas shumë ndërhyrjesh jokorrekte, është përfshirë në një zënkë me futbollistin e ekipit kundërshtar, Gerald Sibon.
Ndonëse ishte një miqësore, është dashur ndërhyrja e pjesëtarëve të të dy skuadrave për të ndarë futbollistët, të cilët janë larguar më pas nga fusha e lojës.
Sipas mediave gjermane, të cilët kanë komentuar gjestin e futbollistit shqiptar, nervozizmi e reagimi i Lalës kanë ardhur nga goditje e shumta që ai ka marrë gjatë minutave që është aktivizuar dhe ky ishte shkaku i vetëm pse mesfushori reagoi në atë mënyrë.
Jo rastësisht ata kanë publikuar foto të numrit 8 të Hanover që largohej nga fusha e lojës me kaviljen e fashuar për shkak të goditjeve të shumta të marra gjatë takimit. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 January 2012 17:32 
