Barcelona kishte premtuar festë ndaj Betis por e ka patur shumë të vështirë të mbajë këtë premtim, falë ekipit kundërshtar që është treguar më i vështirë sesa mendohej.
Në Kamp Nou, gjithçka ka filluar si në festë me Mesin që ka prezantuar për të tretin vit radhazi “Topin e Artë” para tifozëve të tij dhe Pujol që ka përshëndetur të pranishmit me trofeun e “Kupës së Botës për Klube”. Edhe pas vërshëllimës së parë festa është e shpejtë, me Ksavin dhe Mesin që shënojnë ndërsa brenda 12 minutash katalanasit janë në avantazh të dy golave.
Por Betis nuk dorëzohet dhe me kalimin e minutave fiton më shumë besim, duke arritur të shkurtojë diferencën me anë të Ruben Kastro e më pas edhe të barazojë shifrat me Roke Santa Kruz.
Barcelona zgjohet dhe në pak minuta rrethon zonën e Betis duke tentuar të gjejë golin, i ndihmuar edhe nga kartoni i kuq i Mario në minutën e 71-të.. Një pasim i Ksavit ka mjaftuar në minutën e 75-të që Sançez të rivendoste avantazhin e vendasve, ndërsa të gjitha llogaritë janë mbyllur nga Mesi me 11-metërshin e transformuar saktësisht në minutën e 86-të.
Me këtë sukses, Barcelona mban vendin e dytë në renditje dhe distancën prej 5 pikësh ndaj Realit, në prag të sfidës së dyfishtë për Kupën e Mbretit ndaj madrilenëve që i morën këtë trofe në edicionin e kaluar.
Primera Division
Rezultatet
A. Madrid-Vijareal 3-0
Osasuna-Santander 0-2
A. Bilbao-Levante 3-0
Gijon-Malaga 2-1
Barcelona-Betis 4-2
Renditja
R. Madrid 46, Barcelona 41, Valencia 34, Levante 30, A. Bilbao 26, Osasuna 26, Sevilja 25, Malaga 25, Espanjol 25, A. Madrid 23, Betis 22, Rajo Vajekano 22, Getafe 21, Real Sociedad 21, Santander 20, Majorka 19, Granada 19, Gijon 18, Vijareal 16, Real Saragoza 11.
Sunday, 15 January 2012 23:47