Mesfushori kosovar i Bazelit, Xherdan Shaqiri, ka treguar se e tërheq ideja e një transferimi të mundshëm në radhët e gjigandëve turq të Gallatasarajit.
Skuadra e Stambollit konfirmoi interesimin për lojtarin e përfaqësueses zvicerane gjatë javës ndërsa tani ishte radha e Shaqirit të fliste me admirim për këtë klub dhe trajnerin Fatih Terim.
“Unë e kam admiruar gjithmonë Gallatasarajin si një klub të suksesshëm dhe Fatih Terim si një trajner të shkëlqyer”, deklaroi ai pas ndeshjes miqësore të skuadrës së tij me NEC Nijmegen.
“Kur erdhi oferta, të them të drejtën nuk po mendoja të shkoja të luaja në Turqi, por tani më duhet të ulem të shoh propozimin e tyre dhe të mendoj seriozisht rreth kësaj çështje”, tha lojtari shqiptar.
Pengesa kryesore aktuale është oferta që klubi turk i ka bërë klubit zviceran, e cila sipas presidentit të Bazelit, Bernhard Heusler, nuk përshtatet me vlerën reale të futbollistit.
“Ne kemi marrë një ofertë nga turqit. Për momentin ne e marrim në konsideratë atë po nuk jemi gati ta shesim lojtarin për një çmim të tillë”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 January 2012 13:01