Valentino Rosi ka dhuruar spektakël në garat me go-kart në akull duke mundur dy pilotët e Ferrarit, Fernando Alonso dhe Felipe Masa.
Pas pjesëmarrjes në aktivitetin “Wroom 2012”, është zhvilluar gara e zakonshme me go-kart dhe “Fiat 500” mbi liqenin e ngrirë të Madona Di Kampiljo.
Gara e go-kart ka qenë më entuziazmuesja pasi në të kanë marrë pjesë Valentino Rosi, Fernando Alonso, Felipe Masa, Mark Zhene, Xhankarlo Fisikela dhe shoku i ngushtë i Rosit, Uço Saluçi, i cili zëvendësoi të dëmtuarin Niki Heiden.
Gara u fitua nga Rosi i cili la shumë mbrapa “ekspertët” e katër rrotave, si për të treguar se jo rastësisht ka zhvilluar teste me Ferrarin. Menjëherë pas garës, ai nuk i ka rezistuar tundimit dhe ka hedhur fotot e fitores në Twitter.
“Garë e madhe në liqenin e ngrirë nëpër kthesa. I pari në go-kart, i dyti me 500! Më falni po ai mbrapa në foto është Alonso”, shkruante me humor “doktori” në rrjetin social. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 January 2012 11:35