Trajneri i Çelsit, Andre Vijas-Boas, i ka dhënë fund të gjithë zërave për largime të futbollistëve të vjetër nga kjo skuadër gjatë janarit. Sipas tij, emra si Lampard, Drogba e Kalu, nuk do të lëvizin nga ekipi londinez pasi janë të rëndësishëm për skuadrën në këtë sezon.
“Lampard? Ai do të qëndrojë këtu për një kohë të gjatë. Drogba dhe Kalu do të kthehen në këtë klub pas përfundimit të Kupës së Afrikës dhe shpresoj që t’i kem në dispozicion deri në fundin e sezonit. Kjo është dëshira e të dy palëve”, deklaroi trajneri portugez.
Më pas, ai i është kthyer përsëri temës “Lampard”, duke treguar se askush nuk mund të largojë një legjendë si ai nga Çelsi.
“Ne takohemi çdo ditë dhe flasim çdo ditë me njëri-tjetrin. Ai është një lojtar që nuk është për shitje, cilido qoftë çmimi. Lampard është një lojtar fantastik dhe mes nesh nuk ka asnjë problem. E them këtë pasi ai është lojtari i 5-të më i aktivizuar në ekipin tonë”, deklaroi Vijas-Boas duke hedhur poshtë zërat për mosmarrëveshje mes tij dhe mesfushorit anglez. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 January 2012 11:28