Idhulli i futbollit brazilian, Ronaldo, ka këshilluar bashkëkombësin e tij Neimar që të largohet nga Brazili nëse dëshiron që një ditë të fitojë “Topin e Artë”.
Sulmuesi i Santosit u nderua me çmimin “Pushkash” në ceremoninë e organizuar nga FIFA pasi shënoi golin më të bukur të vitit, duke mundur Lionel Mesin dhe Uejn Runin. Neimar ishte gjithashtu pjesës e listës për “Topin e Artë” por nuk bënte pjesë në podium dhe pa nga salla se si iu dorëzua ky trofe argjentinasit Lionel Mesi.
Para kësaj ceremonie, Ronaldo bëri të qartë se Neimar ka potencialin për të kaluar Mesin, por duhet të aktivizohet në një skuadër në Evropë.
“Neimar nuk mundet vetëm të arrijë Mesin, ai mund të bëhet më i mirë. Ai ka shumë talent për të qëndruar vetëm në Brazil”.
“Ai është një talent që ne duhet ta eksportojmë dhe ta lejojmë që të dominojë botën, ta pushtojë atë falë lojës që zhvillon. Prestigji dhe konkurrenca e futbollit në Evropë është madhështore”.
Ronaldo insistoi që Neimar duhet të kërkojë një nga klubet e mëdha evropiane dhe të mos qëndrojë te Santos deri në mbarimin e kontratës së tij në 2014.
“Më kanë kritikuar se kam ftuar Neimar të largohet nga Brazil, por çdo person ka opinionin e tij. Unë e di që njerëzit duan t’i shohin nga afër idhujt e tyre, por brazilianët shohin edhe ndeshjet e skuadrave evropiane”, deklaroi Ronaldo.
Për Neimar janë interesuar të gjitha klubet më të mëdha evropiane, por duket se lojtari preferon të shkojë te Barcelona. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 January 2012 16:19