Një nga personazhet më të diskutuar dhe njëkohësisht simpatikë të futbollit francez, Erik Kantona, ka vendosu t’i hyjë politikës me objektivin për t’u bërë president i këtij vendi.
Faqja e internetit e gazetës “Libération” ka bërë të ditur se ai ka hedhur hapin e parë, duke u vënë në kërkim të 500 firmave të kryetarëve të bashkive. Kjo është etapa e parë e detyrueshme e zgjedhjeve presidenciale të muajit prill ku ai do të ketë përballë kreun aktual të shtetit Nikolas Sarkozi, socialistin Fransua Holand dhe Marin Le Pen, eksponente e ekstremistëve të djathtë.
“Dua të sjell një mesazh të thjeshtë por të qartë, të të vërtetës dhe respektit, një mesazh të fuqishëm. Një mesazh që pritet nga vendi ynë dhe nga miliona familje, problemet e përditshme të të cilave harrohen dhe nga të cilat është larguar prej kohësh pushteti publik”, shkruhet në letrën që Kantona u ka dërguar kryetarëve të bashkive.
Kjo nuk është hera e parë që ish-ylli i Mançester Junajtid ndërmerr nisma me karakter politik. Pak kohë më parë ai u bëri thirrje francezëve të tërhiqnin të gjitha paratë nga bankat. Kjo solli kaos në sistemin bankar në Francë dhe shkaktoi panik në bursë pasi ishin të shumtë ata që iu përgjigjën pozitivisht iniciativës së tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 January 2012 15:02