Policia meksikane ka bërë të ditur lajmin e bujshëm se ka arrestuar ish-portierin e përfaqësues meksikane të futbollit, Omar Ortiz, me akuzën e pjesëmarrjes në rrëmbimin e personave nga kartelet e drogës.
Sipas zëdhënësit për shtyp të policisë së Monterei, arrestimi është bërë që me datë 5 janar, ndërsa ka zbuluar edhe detajet e bashkëpunimit të portierit me bandën që është përgjegjëse për të paktën 20 rrëmbime personi.
35-vjeçari Ortiz ka pranuar se ndihmonte bandën për të zgjedhur personat që rrëmbeheshin, familja e të cilëve mund të përballonte ekonomikisht pagesën për lirimin e tyre. Banda më pas kërkonte 1 milion pesos (rreth 73 mijë dollarë) nga të cilat 100 mijë pesos i kalonin Ortiz.
Portieri, i cili ishte i pezulluar deri në prill për përdorim substancash të palejuara, rrezikon deri në 50 vjet burg. Ai ishte titullar me skuadrën e Monterei dhe falë paraqitjeve të tij është grumbulluar disa herë me kombëtaren e Meksikës, ndërsa në vitin 2002 ka luajtur një ndeshje me përfaqësuesen. (LajmeShqip.com)
Sunday, 08 January 2012 15:23