Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, është i sigurt se Tierri Henri ka ende “zjarrin” që nevojitet për të udhëhequr këtë skuadër drejt sukseseve. 34 vjeçari u rikthye te klubi i tij i vjetër si huazim nga Nju Jork Red Bulls dhe do të qëndrojë në Angli vetëm dy muaj.
“Pashë ndeshjen që luajtën në MLS kundër LA Galaksi dhe aty pashë që Tierri vazhdon të ketë të njëjtën krenari dhe dëshirë për të fituar. E kishte ende këtë ndjenjë pasi shihej qartë që ishte i zemëruar sepse nuk po fitonin”, tregoi Venger.
“Kampionët nuk e humbin kurrë këtë dëshirë. E kemi parë këtë gjë me Bekam, tani po e rishohim me Henri”.
Ndërkohë, trajneri i Arsenalit e pranoi se strategjia e tij kishte qenë e gabuar në periudhën kur Henri ishte ende në skuadër dhe se klubi nuk mund të vazhdonte përjetësisht me lojtarë të rinj.
“Unë dëshiroja që Henri të qëndronte këtu, por ai tha se në moshën 30 vjeçare dëshironte të fitonte tituj të rëndësishëm dhe kjo ishte shumë logjike për karrierën e tij”, përfundoi tekniku francez.
Henri mund të aktivizohet që të hënën në ndeshjen e Kupës FA ndaj Lids. (LajmeShqip.com)
Sunday, 08 January 2012 12:35