Lionel Mesi nuk e imagjinon veten me fanellën e një klubi tjetër aq më tepër me atë të Realit të Madridit. Argjentinasi ka deklaruar për revistën “Don Balon” se dëshiron që të kalojë të gjithë karrierën e tij në radhët e Barcelonës.
“Jam në klubin më të mirë në botë. Në asnjë ekip tjetër nuk do të mund të ndihesha më i lumtur se te Barcelona. Mendoj që të qëndroj këtu derisa ata të
mërziten nga unë dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë asnjëherë ashtu siç mendoj se njerëzit janë të lumtur me mua. Përse duhet të ndryshoj ambient? Jam rritur në akademinë e klubit dhe nuk e shoh veten me fanellën e Realit të Madridit apo të një klubi tjetër”, tha ai.
Për ata që e krahasojnë me lojtarët më të mirë të historisë së futbollit botëror si Maradona, Pele apo Di Stefano, Mesi ka bërë të qartë se këto vlerësime duhet t’i jepen pas përfundimit të karrierës dhe se tani është ende shumë herët.
“Kam një respekt të jashtëzakonshëm për njerëz të mëdhenj si Di Stefano, Pele apo Maradona. Por unë mund të them nëse kam patur një karrierë të tillë vetëm pasi ta mbyll atë. Nuk mendoj se për t’u bërë pjesë e “klubit” të tyre duhet fitorja e Kupës së Botës. Di Stefano është një legjendë e futbollit botëror por nuk e ka fituar Kupën e Botës”.
Në fund, ai ka hedhur poshtë të gjitha zërat për mosmarrëveshje me David Vijan. “Shihni të gjitha videot e golave tonë. Të jeni të sigurt që pjesa më e madhe vjen se i pasojmë qetësisht topin njëri-tjetrit”, përfundoi Mesi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 January 2012 15:39