Skuadra e Liverpulit është përfshirë nga një tjetër skandal racizmi, këtë radhë gjatë ndeshjes së Kupës së Federatës, të fituar me rezultatin 5-1 përballë Oldhem. Disa tifozë të skuadrës legjendare angleze kanë fyer vazhdimisht të riun 20 vjeçar të Oldham, Tom Adejemi, duke bërë që ai të shpërthejë në lot në fushë.
Futbollisti në fjalë po kthehej në pozicionin e tij pas një ndërhyrje në mesfushë, kur një tifoz i Liverpulit që mbante veshur një fanellë të Luis Suarez, e ka fyer atë me shprehje raciste dhe aty i janë bashkuar edhe të tjerë. Dënimi i sulmuesit uruguaian të Liverpulit për fyerjet raciste ka bërë që shumë tifozë të Liverpulit të sillen në mënyrë të papërgjegjshme në stadium dhe për këtë arsye, gjyqtari i ndeshjes është detyruar ta ndërpresë atë për 3 minuta derisa të normalizohej situata.
Policia ka bërë të ditur se ka hapur zyrtarisht një hetim për çështjen në fjalë dhe se pas marrjes në pyetje të lojtarit dhe disa dëshmitarëve, po bashkëpunonte me Liverpulin për të parë pamjet filmike dhe për të gjetur shkaktarët e ngjarjes.
Dy ditë më parë, drejtuesit e Liverpulit vendosën të mos apelonin dënimin prej 8 ndeshjesh të Luis Suarez pasi u provua se ky i fundit i kishte drejtuar fyerje raciste mbrojtësit të Mançester Junajtid, Patris Evra. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 January 2012 13:08