Telenovela e Karlos Tevez duket se nuk dot përfundojë lehtë pasi për lojtarin është hapur një ankand trepalësh mes skuadrave që ëndërrojnë ta kenë në radhët e tyre.
Argjentinasi deklaroi fillimisht se ëndërron të luajë me Milanin, duke shtyrë kuqezinjtë të kërkojnë huazimin dhe të ofrojnë 24 milionë euro për blerjen e tij përfundimtare gjatë merkatos verore.
Nga ana tjetër Mançester Siti sapo ka marrë një ofertë që vjen nga skuadra tjetër e Milanos, Interi që dëshiron të përforcohet me një sulmues cilësor. Zikaltërit kanë bërë të qartë se janë gati të paguajnë menjëherë për futbollistin, duke e pritur atë krahëhapur që javën e ardhshme.
Ndërkohë, në skenë është futur edhe PSZH që ka bërë gati një ofertë shumë më të madhe se ajo e italianëve, 35 milionë euro. Nëse do të ishte në dorën e Mançinit, kjo ofertë e fundit duhej pranuar, por duhet miratimi i lojtarit. Ky i fundit po stërvitet individualisht në Argjentinë dhe do të vendosë ditët e para të javës së ardhme për fatin e tij. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 January 2012 11:38