Skuadra e Paris Sent Zhërmen ka patur një peripeci aspak të këndshme gjatë kthimit nga Dubai. Sipas gazets “L’ Equipe”, avioni i tyre ka ndeshur në turbulenca gjatë uljes dhe shumë lojtarë kanë patur probleme shëndetësore për këtë arsye.
Piloti ka tentuar të bëjë uljen por pa sukses, për shkak të erës së fortë në zonën e aeroportit “Sharl De Gol” dhe ka ngjitur përsëri avionin në lartësi. Më pas, çarteri ka bërë rreth një orë xhiro mbi Paris, para se të rikrijohej mundësia për t’u ulur.
Por gjatë kësaj periudhe, shumë lojtarë janë ndjerë keq për shkak të lëkundjeve të shpeshta si dhe nga paniku. Është dashur ndërhyrja e mjekëve të skuadrës të cilët kanë shpërndarë qetësues për futbollistët në mënyrë që situata të mbetej nën kontroll dhe që paniku të mos përfshinte edhe pjesën tjetër të ekipit.
PSZH po kthehej në Paris nga Dubai, ku zhvilloi një miqësore luksi me Milanin, në ndeshjen e parë të Karlo Ançelotit si trajner i skuadrës franceze. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 January 2012 10:14