Gazeta franceze “Le Parisien” ka treguar objektivat e radhës të Paris Sent Zhërmen, që i ka dhënë lamtumirë ëndrrave për të blerë dyshen braziliane Kaka-Pato.
Megjithatë, drejtori sportiv Leonardo, vazhdon të kërkojë bashkëkombës të tij dhe këtë radhë i ka vënë syrin mbrojtësit brazilian të Interit, Maikon. Ky i fundit ka kërkuar disa herë të transferohet dhe PSZH do të ishte një mundësi shumë e mirë për të ndryshuar atmosferë.
Një tjetër objektiv i merkatos është talenti 19 vjeçar gjerman Mario Gëtze, i cili mund të largohet nga Borusia Dortmund për një shumë të parefuzueshme. Për këtë futbollist, drejtuesit e klubit parisien janë gati të shpenzojnë 30-35 milionë euro.
Sipas mediave franceze, parisienët do të bëjnë ofertën e tyre brenda javës duke kërkuar një përgjigje të shpejtë nga Inter dhe Borusia Dortmund, për të mos e kthyer blerjen në ankand të panevojshëm. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 January 2012 19:13