Trajneri i ri i Paris Sent Zhërmen, Karlo Ançeloti, ka hedhur poshtë mundësinë e realizimit të transferimit të dyshes braziliane Pato-Kaka në radhët e ekipit të tij. Mediat franceze spekuluan se PSZH kishte bërë gati 61.5 milionë euro për blerjen e dy lojtarëve, por duket se as kjo shumë nuk mund të bëjë të mundur ëndrrën e parisienëve.
Humbja 1-0 në miqësoren me Milanin, ku goli i vetëm u shënua pikërisht nga Pato, ishte ndeshja e parë e Ançelotit në pankinën e skuadrës franceze. Ai shfrytëzoi praninë e shumë përfaqësuesve të mediave italiane në Dubai për të mbyllur zërat e merkatos për dy brazilianët.
“Pato është një lojtar i Milanit dhe ai ka një kontratë, ndaj ne nuk jemi të interesuar për të. Aktualisht nuk ekziston asnjë mundësi që ne të nënshkruajmë me Kaka. Jemi në mesin e merkatos dhe do të diskutoj me klubin mbi mënyrat se si mund të përforcohemi.
Unë nuk dua të flas më rreth rasteve të veçanta si Pato apo Kaka, pasi të dy janë nën kontratë. Ne do të punojmë për të afruar lojtarë, por që ta bëjmë një gjë të tillë, duhet që klubet të jenë të gatshme të shesin”, u shpreh Ançeloti. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 January 2012 08:47