Sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimoviç, ka zbuluar se synimi i tij është që të bëhet trajner pasi të mbyllë karrierën si futbollist. Në një intervistë për gazetën “Sportbladet”, ai ka treguar se mendon ta bëjë një gjë të tillë në një të ardhme jo shumë të largët.
“Është e mundur që pasi të kem mbyllur aktivitetin si futbollist, të vihem në drejtimin e një skuadre, edhe pse më parë kam thënë se nuk do ta bëj një gjë të tillë.
E shoh veten në fushën e lojës edhe për 2-3 vjet, pastaj të shohim. Të bësh trajnerin është një përgjegjësi e madhe, të luash futboll është shumë më e thjeshtë”, u shpreh sulmuesi i Milanit.
Sipas tij, vetëm koha do të tregojë se çfarë do të ndodhë, ndërsa mund të ndjekë gjurmët e një tjetër sulmuesi të famshëm suedez.
“Edhe Henrik Larson, kur luante futboll, deklaroi se nuk të drejtonte asnjëherë një ekip, ndërsa tani është trajner i Landskrona. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë pas 2-3 vitesh, vetëm më duhet të pres. Por me shumë mundësi, do të ulem në pankinën e ndonjë skuadre”, përfundoi gjigandi suedez. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 January 2012 12:24