Trajneri i Realit të Madridit, Zhose Murinjo, ka kritikuar ashpër lojtarët e tij pas ndeshjes së Kupës së Mbretit kundër Malagas. Ndonëse madrilenët fituan 3-2, ata lanë shumë për të dëshiruar në pjesën e parë dhe vetëm përmbysja e pjesës së dytë e ndihmoi ekipin të mbetet në garë për kalimin në turin tjetër.
“I thashë lojtarëve të mi në pushimin e ndeshjes se nëse do të mund të bëja 11 zëvendësime, do t’i ndryshoja të gjithë. Unë i zëvendësova 3 lojtarët në mënyrë që skuadra të bënte gjëra të ndryshme në fushë. Mund t’i kisha bërë zëvendësimet që para pushimit, por zakonisht nuk më pëlqen një gjë e tillë”, tregoi Murinjo.
Sipas tij, faji i lojtarëve është i përbashkët, pasi shumë prej tyre gjatë festave të fundvitit nuk kanë mbajtur regjim të rregullt, ashtu siç pritej.
“Ne zakonisht mundohemi që të kthehemi nga pushimet me kohë të mjaftueshme para ndeshjes së parë. Por ka njerëz që i shohin këto pushime si kohë e përshtatshme për t’u qetësuar, ndërsa të tjerët janë gjithmonë në udhëtim dhe nuk ndalojnë të ngrënat e të pirat, duke u kthyer në ekip më të lodhur se sa janë larguar”, ishte deklarata e Murinjos i cili ka paralajmëruar se mund të ketë masa drastike ndaj lojtarëve që e kanë zhgënjyer. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 January 2012 11:38