Drejtuesit e Hanoverit janë të bindur për të afruar gjatë merkatos së janarit sulmuesin e përfaqësueses shqiptare, Ahmed Januzi, pranë ekipit gjerman. Lajmin e ka konfirmuar faqja e internetit e gazetës sportive gjermane “Kicker”, ku theksohet se menaxheri i skuadrës Jorg Shmadtke dhe trajneri Mirko Slomka, po ndjekin me kujdes prej disa muajsh futbollistin shqiptar.
“Kam folur si me menaxherin, ashtu dhe me trajnerin”, ishte pohimi i Januzit, ndërsa për këtë çështje është prononcuar edhe Altin Lala, një legjendë e Hanover. “Çështja nuk ka përfunduar ende, por shpresoj që të zgjidhet pozitivisht sa më parë”, ishin fjalët e tij për mediat gjermane.
Futbollisti nuk ka probleme as me gjuhën gjermane, pasi ka jetuar për disa vite në Gjermani para se të transferohej në Ukrainë te Vorskla Poltava, ndërsa anëtarë të familjes së tij jetojnë ende pranë Ahen.
Problemi i vetëm që pengon transferimin mbetet shuma që duhet paguar për kartonin e lojtarit. Januzi ka rinovuar kohët e fundit kontratën me Vorsklan, duke e shtyrë përfundimin e saj në vitin 2014.
Menaxheri Mërgim Bektashi, i cili është pjesë e bisedimeve, ka treguar pse gjithçka ka mbetur në vendnumëro. “Hanover është i interesuar dhe ka ofruar 700 mijë euro për lojtarin, por tani Vorskla kërkon 1.5 milionë euro për kartonin e Januzit”, deklaroi ai për “Kicker”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 January 2012 17:03