Dejvid Bekam nuk do të nënshkruajë për PSZH-në, këtë e konfirmoi drejtori sportiv i skuadrës, Leonardo. Ai tha se anglezi nuk do të lëviz drejt Francës për “arsye familjare”, ndërsa pritet të rinovoj kontratën me Los Anxheles Galaksi.
Duke folur në kampin e PSZH-së në Katar, Leonardo tha: “Është mëkat, Dejvid donte të vinte në Paris, por ai në fund refuzoi për shkak të mirëqenies së familjes së tij në Los Anxheles”.
“Nuk është ardhja e Karlo Ançelotit si menaxher, që ka ndryshuar çdo gjë”, deklaroi Leonardo, duke shmangur hipotezat për mosmarrëveshje mes lojtarit dhe trajnerit të ri të parisienëve.
Bekam iu bashkua LA Galaksi në vitin 2007 dhe në nëntor fitoi Kupën MLS. Kontrata e tij përfundoi me 31 dhjetor.
Viktoria, gruaja e tij, ka ngritur një etiketë të suksesshme të modës në Kaliforni dhe thuhet se kjo është arsyeja pse ata hezitojnë të kthehen në Evropë.
Bekam kërkon të vërtetojë formën e tij sportive përpara Lojërave Olimpike të Londrës, në të cilën ai shpreson të jetë një nga 23 lojtarët e Britanisë së Madhe. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 January 2012 15:51