Federata Zvicerane e Futbollit ka dalë në krah të FIFA-s, duke ndëshkuar skuadrën e Sionit me heqjen e 36 pikëve nga klasifikimi i kampionatit. Si rrjedhojë, kjo skuadër ka rënë nga vendi i pestë në renditjen e kampionatit zviceran, në vendin e fundit, ku ka tashmë -5 pikë. Klubi u dënua për aktivizimin e 6 lojtarëve të regjistruar në mënyrë të paligjshme sipas FIFA-s.
Federata ndërkombëtare i kishte bërë të qartë me 17 dhjetor Federatës Zvicerane që të merrte masa disiplinore ndaj Sionit brenda datës 13janar në të kundërt do të përjashtohej, duke ndaluar si rrjedhojë aktivitetet e kombëtares dhe klubeve që merrnin pjesë në Kupat e Evropës.
Sipas Federatës Zvicerane, dënimi i dhënë sot vjen si rrjedhojë e shkeljeve në 12 ndeshje, 10 në kampionat dhe 2 në Kupën e Zvicrës, ku ky klub ka aktivizuar të paktën një prej futbollistëve të ndaluar nga FIFA. Për secilën nga këto ndeshje janë hequr 3 pikë në renditjen e kampionatit.
Megjithatë, drejtuesit e Sionit kanë theksuar se do të vazhdojnë betejën e tyre ligjore në gjyq civil ku pretendojnë jo vetë rikthimin në Kupat e Evropës, por edhe një shumë të konsiderueshme parash si dëmshpërblim për prishje të imazhit, si nga FIFA, ashtu edhe nga Federata Zvicerane e Futbollit.
Sipas Sionit, dënimet janë në kundërshtim me rregulloret aktuale të të dy institucioneve të futbollit. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 December 2011 18:43