Adriano më së fundmi mund të thotë se është i pafajshëm. Kjo ndoshta është hera e parë kur futbollisti brazilian është i justifikuar për një ngjarje që ka ndodhur si zakonisht jashtë fushave të futbollit dhe ka lidhje me të. Sulmuesi është shpallur i pafajshëm për ngjarjen e plagosjes së studentes 20 vjeçare, pasi kjo e fundit ka pranuar se ka qenë vetë ajo që ka shkrepur pa dashje pistoletën e një prej truprojave të tij.
Adriene Pinto, e cila i është nënshtruar dy operacioneve dhe vetëm dje ka mundur të paraqitet në komisariatin e policisë së Rio De Zhaneiros, fillimisht kishte deklaruar se ishte qëlluar nga Adriano kur ky i fundit po mbante pistoletën në dorë. Por pas marrjes në pyetje nga policia, ajo ka pranuar se ka qëlluar veten.
“Ajo ka pranuar se ka marrë në dorë pistoletën me vullnet të lirë dhe deklarata përputhet me atë të personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, ndonëse ne ende nuk kemi hedhur poshtë asnjë hipotezë të mundshme”, deklaroi përgjegjësi i policisë për këtë ngjarje, Fernando Reis.
Policia ka konfirmuar se pistoleta është shkrepur në sediljen e pasme të makinës ndërsa dëshmitarët në vendngjarje kanë bërë të ditur se Adriano ishte i ulur në sedijen e përparme, pranë shoferit. Dy vajzat e tjera dhe truproja që gjendej në makinën tip BMW, kanë konfirmuar versionin e “Perandorit”, i cili që në ditën e parë deklaroi pafajësinë e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 December 2011 13:23