Akademitë e skuadrave të kampionatit italian kanë në përbërjen e tyre shumë futbollistë shqiptarë. Për momentin, talentet më të përmendur nga specialistët e futbollit në Itali janë lojtarët 18 vjeçarë të Empolit, mbrojtësi Elseid Hysaj dhe mesfushori Elvis Kabashi. Për ta ka patur interesim të vazhdueshëm nga klubet më të njohura italiane që i mbajnë nën vëzhgim ndërsa pritet që së shpejti të jenë titullarë në radhët e skuadrës që militon në Serinë B.
Mbrojtësi Hysaj, i aktivizuar edhe me kombëtaren U-17 të Shqipërisë, shihet nga drejtuesit e Empolit si një prej futbollistëve më premtues të akademisë. Jo rastësisht, ai tani është tani pjesë e ekipit të parë të kësaj skuadre dhe ka qenë shpesh në stolin e rezervave në Serinë B.
Debutimi i tij me ekipin e parë ka ardhur në ndeshjen e Kupës së Italisë ku luajti për 90 minuta si titullar ndaj Fiorentinës duke bërë një paraqitje të kënaqshme. Për lojtarin ka patur oferta nga skuadra të rëndësishme në Itali, mes të cilave edhe Lacio, por deri tani, Empoli ka refuzuar çdo ofertë pasi sheh te ai një lojtar me të ardhme.
Ndërkohë, mesfushori Kabashi është bërë pjesë e ekipit të rinjve vetëm gjatë këtij sezoni. Për të, gjatë ditëve të fundit është folur për një interesim nga ana e Juventusit por presidenti i skuadrës toskane nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë. Megjithatë, ai ka saktësuar se për Kabashin ka interesim nga disa prej klubeve më të njohura në Itali.
“E dimë që lojtari ndiqet nga klube të një rëndësie të veçantë. Ne, te Empoli, nuk jemi mësuar të shesim lojtarë kaq të rinj, pasi zakonisht i aktivizojmë për një sezon me ekipin e parë. Kabashi është i ri por mund t’i jepet mundësia të debutojë në Serinë B këtë sezon”, ishin fjalët e Foskit, presidentit të Empolit.
Dy lojtarët ndiqen me vëmendje nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe këtë sezon pritet të aktivizohen me Kombëtaren U-19, e cila drejtohet nga Foto Strakosha. (LajmeShqip.com)
Thursday, 29 December 2011 11:08