Filip Lahm, mbrojtësi dhe kapiteni i përfaqësueses gjermane, mendon se Spanja është favoritja kryesore për të fituar titullin kampion në Euro 2012. Duke folur në një intervistë për “France Football”, e cila shpalli Gjermaninë si “Skuadra më e mirë e vitit 2011”, Lahm pranoi se spanjollët vazhdojnë të jenë një hap para të tjerëve dhe kanë shanset më të mëdha për të siguruar këtë trofe të rëndësishëm.
“Vetëbesimi jonë nuk ka qenë ndonjëherë më i lartë sesa tani. Rezultatet janë të shkëlqyera, loja jonë është spektakolare dhe efektive, ndërsa kohët e fundit kemi arritur të mundim skuadra të mëdha si Brazili dhe Holanda. Megjithatë, Spanja mbetet favorite kryesore. Më pas vijnë katër apo pesë skuadra të tjera që mundohen për t’i ulur ata nga froni”, deklaroi mbrojtësi shtatshkurtër i Bajernit të Mynihut.
Lahm vlerëson ngritjen e vazhdueshme të filozofisë së futbollit në Gjermani, të kombinuar me përpjekjet për të zhvilluar talentet e reja si arsyen kryesore pse ata ishin cilësuar si skuadra e vitit nga revista prestigjioze franceze.
“Ne kemi mësuar të kontrollojmë topin sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjithë futbollistët tanë duan topin dhe duan të sulmojnë. Kjo është një tjetër pikë ku kemi bërë progres. Por tani loja jonë është bërë më moderne. Me këtë filozofi mund të punojmë disa vite radhazi, duke ditur se trajneri ka një bazë të përbërë nga lojtarë si Shvajnshtajger, Kedira, Ozil, Nojer apo edhe mua. Është e rëndësishme që të jemi në gjendje të mbështetim këto lojtarë për disa vite radhazi”, u shpreh kapiteni i përfaqësueses gjermane. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 December 2011 12:00