Deklarata e “dashurisë” e Hoze Murinjos për futbollin anglez duket se ka vënë në lëvizje drejtuesit e Realit të Madridit, të cilët kanë gjetur menjëherë zëvendësuesin e mundshëm të portugezit. Sipas mediave spanjolle dhe gjermane, Joakim Lëv është trajneri që do të drejtojë ekipin madrilen pas përfundimit të kontratës së tij me përfaqësuesen gjermane.
Murinjo ka bërë të qartë se nuk do të largohet para mbylljes së kontratës që ka me Realin, e cila përfundon në vitin 2014. Pikërisht në të njëjtën periudhë përfundon edhe kontrata e Joakim Lëv me Gjermaninë, ndërsa më pas ai ka vendosur që të marrë drejtimin e një klubi.
Vetë Murinjo e ka vlerësuar shumë Lëv dhe në një intervistë të dhënë pak ditë më parë ka folur mirë për të. “Lëv ka bërë një punë të shkëlqyer deri tani. Gjermania është një skuadër me kualitete të mëdha që e kërkon gjithmonë golin. Kjo është një kombëtare e ndërtuar me një të tashme dhe një të ardhme”, ishin fjalët e Murinjos i cili nuk mund ta mendonte se po komentonte punën e zëvendësuesit të mundshëm të tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 December 2011 16:36