Radha e gjatë e vjedhjeve ndaj futbollistëve të Napolit gjatë dy muajve fundit ka vënë në lëvizje policinë italiane e cila sheh një përqendrim indirekt të mafies në këtë histori. Hetuesi i qytetit të Napolit, Merolla, ka pranuar se çështja ka filluar të bëhet shqetësuese. “Përqendrimi kohor i këtyre ngjarjeve na ka rënë në sy edhe ne”, ishte pohimi i tij për mediat italiane.
Ato që shiheshin si raste të izoluara në një qytet ku futbollistët janë idhuj, tani duket si një hakmarrje e mirëfilltë e mafias. Kjo për shkak se presidenti i skuadrës, De Laurentis, ka vendosur që biletat të shiten onlinë, duke i hequr ato përfundimisht nga tregu i zi që kontrollohet nga mafia.
Nëse shumë vite më parë, kur Maradonës iu vodhën disa objekte personale, një nga përfaqësuesit e mafias arriti t’i gjente brenda pak orësh dhe t’ia rikthente, tani situata nuk është e njëjtë ndonëse vjedhjet janë më të shumta. Brenda pak javësh janë grabitur nga persona të paidentifikuar futbollistët Kavani, Laveci dhe Aronika.
Ndërkohë, janë kërcënuar me armë Martina Hamshik, gruaja e Marek, Janina, e fejuara e Lavecit dhe Barbara, gruaja e Fidelef. Ngjarja më e rëndë ka ndodhur me menaxherin e Kavanit, të cilit i kanë kërcënuar gruan shtatzënë duke i vënë pistoletën në bark.
Si rrjedhojë, policia ka vendosur të hapë një hetim, ndërsa ka këshilluar lojtarët që të mos shoqërohen më me personazhe të dyshimtë që kanë lidhje me familjet mafioze që kontrollojnë ende qytetin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 December 2011 16:00