Trajneri i Realit të Madridit, Hoze Murinjo, ka bërë të qartë se në vitin 2014, kur t’i përfundojë kontrata ekzistuese me klubin spanjoll, do të synojë të kthehet si trajner në kampionatin anglez. Tekniku portugez e ka lëshuar këtë deklaratë në një intervistë të dhënë për BBC, ndërsa nuk ka ngurruar të ftojë edhe drejtuesit e emisionit në fjalë të vihen që tani në kërkim të një skuadre për të.
“Më gjeni një skuadër brenda dy viteve të ardhshme në kampionatin anglez. Një skuadër të mirë ama. Hapi i ardhshëm i karrierës time do të jetë të kthehem në Angli dhe nëse është e mundur, të qëndroj për një kohë të gjatë këtu”, ishte deklarata që bëri Murinjo, i ftuar në emisionin e BBC.
Megjithatë, ai ka bërë të qartë se për momentin nuk i shkon ndër mend të lëvizë nga madrilenët. “Anglia është pasioni im. Megjithatë, jam shumë i lumtur që jam te Reali i Madridit. Mendoj se është klubi më i madh i historisë së futbollit. Nuk mund të humbja eksperiencën e punësimit këtu”, deklaroi portugezi. Dy vite më parë, vetë Murinjo deklaroi se do të kthehej në Angli për të zënë vendin e Aleks Ferguson te Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 December 2011 15:22