Trajneri i Milanit, Masmiliano Alegri, ka bërë të qartë se sulmuesi italian Filipo Inzagi nuk bën më pjesë në planet e tij, ndonëse tifozeria dhe vetë presidenti Berluskoni dëshirojnë ta shohin atë përsëri në fushë. 
“Inzagi ka shkruar historinë e futbollit, ashtu si shumë kampionë që kanë veshur fanellën e Milanit, por duhet t’i shohim gjërat ashtu siç janë. Jeta vazhdon, përndryshe edhe Maradona do të ishte duke luajtur futboll tani”, u shpreh ai me ironi.
Duket se trajneri i ka mendimet e qarta dhe këtë ia ka shpjeguar edhe presidentit Berluskoni, i cili është një adhurues i “Superpipos”.
“Para ndeshjes me Sienën më telefonoi për të ditur se kush do të luante, ndërsa më pyeti edhe për Inzagin. Iu përgjigja që nuk stërvitet prej 45 ditësh dhe që në rrethana të tilla nuk mund ta merrja në konsideratë. Unë nuk stërvit “globetrotters”, Milani nuk është një skuadër për spektakël. Duhet të luajmë mirë por edhe të arrijmë rezultate”, ishte shpjegimi i Alegrit që në këtë mënyrë thuaje ka zyrtarizuar divorcin e kuqezinjve me sulmuesin.
Saturday, 24 December 2011 13:31