Tifozët e vërtetë të basketbollit nuk e harrojnë asnjëherë Majkëll Xhordan dhe janë të gatshëm të bëjnë çmenduri për të patur diçka si kujtim nga ai që cilësohet si basketbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.
Kur Xhordan dhe kompania Nike bënë të ditur se në disa supermarkete në SHBA do të shitej përsëri një nga modelet më të famshme të këpucëve, “Air Jordan 11”, çmenduria shpërtheu në të gjitha vendet ku po bëheshin shitjet.
Kjo për shkakun e thjeshtë se secili prej supermarketeve kishte vetëm 100 palë këpucë në dispozicion dhe kërkesa ishte shumë më e madhe, ndonëse një palë kushtonte 180 dollarë.
Përveç radhëve të gjata, kanë shpërthyer edhe zënka të panumërta, ndërsa mediat amerikane raportojnë se ka patur edhe arrestime apo persona të dërguar në spital me plagë të shkaktuara nga goditjet me mjete të forta. Gjithçka ka ndodhur pasi askush nuk dëshironte të hiqte dorë nga pala e fundit e këpucëve, edhe në rastet kur personat në fjalë nuk po blinin një numër që mund ta vishnin.
Saturday, 24 December 2011 13:24