Skuadra e Milanit vazhdon të jetë pjesë aktive e merkatos së futbollistëve. Drejtues të kuqezinjve kanë qenë në Angli për të diskutuar transferimin e Karlos Tevez në radhët e skuadrës italiane por nuk pa arritur të mbyllin marrëveshjen.
Ariedo Braida, përfaqësuesi i kuqezinjve ka insistuar që sulmuesi argjentinas të kalojë në formë huazimi deri në përfundimin e sezonit dhe vetëm në qershor Milani të ketë të drejtën të blejë përfundimisht atë.
Por përfaqësuesit e Mançester Sitit kanë hedhur poshtë këtë hipotezë, duke konfirmuar se lojtari mund të jepet huazim vetëm te një skuadër e cila është e gatshme të blejë përfundimisht atë në fund të sezonit dhe jo të ushtrojë të drejtën për të anuluar marrëveshjen.
Palët kanë lënë një tjetër takim javën e ardhshme, pasi duan që të mbyllin sa më parë këtë telenovelë, në mënyrë që edhe futbollisti t’i kthehet stërvitjes me atë që do të jetë ekipi i tij i ri.
Megjithatë, dita ka qenë gjithsesi e frytshme për kampionët në fuqi të Italisë. Sipas mediave italiane, Adriano Galiani ka arritur një akord verbal me mesfushorin e Barcelonës, Seidu Keita.
Futbollisti nga Mali ka një kontratë deri në vitin 2014 me katalanasit por është në dorën e tij në fund të këtij sezoni të vendosë për zgjatjen e saj apo jo.
Te Milani atë e pret një kontratë trevjeçare dhe do të ndihmonte ekipin e Alegrit për të përforcuar dy reparte njëkohësisht, pasi shpesh ai ka luajtur edhe në mbrojtje në radhët e Barcelonës.
Friday, 23 December 2011 09:20 