Klubi i Santosit ka përgënjeshtruar të gjitha lajmet që janë bërë publike në mediat evropiane rreth akordit mes brazilianëve dhe Barcelonës për shitjen e sulmuesit Nejmar.
“Santos bën të ditur se janë krejtësisht të pabazuara, të rreme dhe shpikje ato lajme sipas të cilave Barcelona ka garantuar prioritetin në rastin e një shitje të mundshme në të ardhmen të lojtarit tonë Nejmar Zhunior dhe që për këtë privilegj të supozuar të ketë bërë edhe një pagesë”, shkruhej në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga klubi i Santos. Në këtë mënyrë, është përgënjeshtruar kategorikisht lajmi i një dite më parë se Barcelona kishte bërë një parapagim prej 10 milionë eurosh për futbollistin në fjalë duke siguruar prioritetin në rast shitje.
Sipas kësaj marrëveshje, Santos ishte i detyruar të paguante dyfishin e kësaj shumë në rast se do t’i shiste lojtarin një skuadre tjetër. “Siç kemi bërë të ditur me 9 nëntor, Nejmar do të jetë një sportist i Santos minimalisht deri në Kupën e Botës 2014. Për shkak të kontratës së tij, raporti i tij i punës do të jetë ekskluzivisht me Santos, pa një të drejtë preference largimi drejt një klubi tjetër mes atyre që janë interesuar të sigurojnë shërbimet e tij”, theksohej në deklaratën e klubit brazilian.
Megjithatë, tashmë është publikisht e ditur se sulmuesi i përfaqësueses braziliane dëshiron që në të ardhmen të veshë fanellën e Barcelonës, skuadër të cilën e pa në veprim prej afër gjatë finales së Kupës së Botës për Klube ku katalanasit shkatërruan Santos me rezultatin 4-0.
Thursday, 22 December 2011 14:08