Nëse kriza ekonomike ka goditur edhe futbollin në Evropën Perëndimore, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vendet e lindjes ku skuadrat nga Rusia dhe së fundmi Kina, po investojnë në emra të njohur të futbollit ndërkombëtar.
Ekipi tashmë i famshëm rus i Anzhi Mashkala, i cili gjatë merkatos së verës bleu Samuel Etoo, po mendon të shtojë radhët e “yjeve” ndërsa synon të blejë dy talentet e reja braziliane, Ganso dhe Lukas. Kjo është zbuluar nga vetë lojtari-trajner i kësaj skuadre, ish-mbrojtësi i kombëtares së Brazilit, Roberto Karlos, i cili po luan rolin e negociatorit. “Do të tentojmë të blejmë të dy lojtarët. Në janar do të shkojmë në Brazil për të negociuar. Klauzolat e prishjes së kontratës së dy lojtarëve (50 milionë euro për Ganso të Santos dhe 80 milionë euro për Lukas të San Paolo) nuk janë problem për patronin tonë Kerimov. Ai është një njeri mjaft i pushtetshëm”, u shpreh Roberto Karlos për radion Rede Bandeirantes.
Ndërkohë, Kerimov po mendon të afrojë në stolin e ekipit një emër shumë të njohur në arenën ndërkombëtare, trajnerin holandez Gus Hidink. Ky i fundit është i lirë nga kontrata e tij si trajner i kombëtares së Turqisë pasi nuk arriti ta kualifikonte atë në Euro 2012 dhe mund t’i bashkohet klubit rus që në janar. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 December 2011 13:57