Tiranë – Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka konfirmuar “linjën e re” që do të ndjekë në rastet e dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarëve në ndeshjet e kampionatit shqiptar të futbollit. Për të dytën javë radhazi, një skuadër e Kategorisë Superiore është dënuar me zhvillimin ndeshjeve në fushë asnjanëse dhe pa praninë e tifozëve deri në përfundimin e sezonit.
Nëse një javë më parë ishte ekipi i Laçit që u dënua për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit Lorenc Jemini, vendimi i sotëm i KDS-së ka ndëshkuar ekipin e Pogradecit për dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit Enea Jorgji në përfundimin e sfidës ndaj Teutës.
Në ndryshim nga dënimi i dhënë për ekipin laçian që u dënua me heqjen e 6 pikëve në renditje, liqenorët janë ndëshkuar vetëm më heqjen e 3 pikëve. Ndërkohë, nuk kanë mbetur pa u ndëshkuar rëndë edhe protagonistët e dhunës të cilët kanë marrë dënime të gjata. Trajneri Çekiçi është ndëshkuar me 8 ndeshje pezullim, futbollisti Eminhazeri me 6 ndeshje ndërsa futbollisti tjetër Drazhanin me 4 ndeshje.
Kjo linjë e re veprimi nga ana e KDS-së ka konfirmuar se këtë sezon pritet më pak tolerancë ndaj shfaqjeve të dhunës në stadiume, në kundërshtim me sezonet e kaluara ku në të shumtën e rasteve, skuadrat dënoheshin kryesisht me gjoba që nuk parandalonin përsëritjen e mëtejshme të gjesteve të tilla të dënueshme në stadiume jo vetëm nga tifozeritë, por edhe nga lojtarët apo drejtuesit e skuadrave. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 December 2011 13:49