Shkodër-Vllaznia ka fituar me rezultatin 2-1 me Dinamon në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Ishte një trepikësh shumë i rëndësishëm për skuadrën kuqeblu, por që ka pasur perballe një Dinamo shumë të mobilizuar në fushën e lojës.
Kjo u pa qartë kur Dinamo përveç disa rasteve të pastra për shënim njëri pas tjetrit, në minutën e 42-të arriti të shënojë në portën malazezit të Vllaznisë, Vujadinoviç, përmes kavajasit Shtini, duke e mbyllur pjesen e parë në avantazh me rezultatin 0-1.
Por, pas pushimit, Vllaznia ka dalë krejt tjetër në fushën e lojës për 45 minutat e pjesës së dytë. Dhe, kjo për meritë të trajnerit Rudi Vata, i cili duke hedhur në fushën e lojës dy forca të reja, Muçën dhe Erkoçin, por sidomos duke bërë edhe lëvizjet taktike në rreshtim, loja e kuqebluve mori më tepër frymëmarrje.
Si rezultat i kësaj erdhen dy golat radhazi të shënuar pikërisht nga këta dy lojtarë, i pari në minutën e 48-te dhe i dyti në minutën e 57-te.
Pjesë e kësaj ndeshje ishin edhe dy kartonat e kuq të akorduar nga gjyqtari Sino në dëm të Lalës së Dinamos dhe Vajushit të Vllaznisë, pas një incidenti në minutat e fundit të ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Saturday, 17 December 2011 20:22