Shkodër – Pas një shkëputje dy javore, kampionati kombëtar i futbollit për Superligën shqiptare rikthehet sërishmi këtë fundjavë. Sipas kalendarit të publikuar nga FSHF, sfida Vllaznia-Dinamo është planifikuar të luhet në orën 16.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Pavarësisht pozitave të ndryshme në tabelën e klasifikimit, pritet që ballafaqimi mes tyre të ndiqet nga një numër i madh tifozësh.
Pas përfundimit të seancës së sotme stërvitore, e fundit përpara ballafaqimit Vllaznia-Dinamo, tekniku i Vllaznisë, Rudi Vata, në një konferencë për shtyp tha se “me rikuperimin e malazezit Petroviç, formacioni i jonë pritet të jetë i plotë në këtë ndeshje”, duke shprehur ndërkohë optimizmin për një fitore të Vllaznisë.
Duke folur për skuadrën kundërshtare, me të cilën Vata ka luajtur shumë vite më parë, tha se “Dinamo mbetet Dinamo, gjë që e ka treguar më së miri edhe me skuadrat e forta, ku me dy prej tyre, kampionen dhe nënkampionen e sezonit të kaluar, Skënderbeun dhe Flamurtarin, ka dalë me rezultat të barabartë”.
Prandaj, në këtë këndvështrim, ai u shpreh se skuadra që ai drejton do të futet në fushën e lojës mjaft e mobilizuar për të marrë një rezultat pozitiv.
Për t’u theksuar është fakti se në kontigjentin e ekipit dinamovit bëjnë pjesë edhe tre futbollistë shkodranë, Ervis Kraja, Erion Hoti dhe i riu Antonio Marku, që të tre në repartin e mbrojtjes, për të cilët Vata përcolli vlerësime pozitive për lojën cilësore që po zhvillojnë në përbërje të ekipit të Dinamos.
Friday, 16 December 2011 21:00