Prishtinë – Do duhej të boksonte me 16 dhjetor live në Sat1 për ta mbrojtur titullin. Mediat gjermane raportojnë se Besim Kabashi është gjetur i vdekur në banesën e tij, i shtrisë dhe pa asnjë shenjë tjetër. Ndërkohë që janë duke u zhvilluar hetimet rreth vdekjes së tij.
35-vjeçari, aktualisht kampion botëror në kikboks, i lindur në Gurrakoc të Istogut, më 27 shkurt të vitit 1976, njihej për sukseset e tij të mëdha në kikboks duke krijuar një karrierë të shkëlqyeshme në Gjermani. Kabashi në dy vitet e fundit ishte i pa konkurrencë në kategorinë +95 kg, duke fituar dy tituj të njëpasnjëshëm të botës, si dhe fitues në disa turne mjaft prestigjioze. Vdekja e tij e la pa e zhvilluar, ndoshta, meçin më të rëndësishëm në karrierë kundër Mighty Mo, me 16 dhjetor të këtij viti.
Në ringun profesionist ai la pas vetes 36 meçe, shumica prej tyre të paharrueshme. Ai vetëm një herë u dorëzua para rivalëve të vet. Kabashi ka fituar 35 nga 36 meçet sa i ka zhvilluar gjithsej në kategorinë gjysmë të rëndë, prej të cilëve madje 26 i ka fituar me nokaut teknik.
Besimi ishte fëmija më i ri ndër shtatë fëmijët e tjerë të familjes Kabashi. Ai kishte ikur në Gjermani në moshën 14-vjeçare. Si i ri ai ka pasur prirje për sport. Fillimisht kishte filluar me futboll, atletikë dhe not, mirëpo përfundoi në ring.
Me sportin e kikboksit ka filluar prej moshës 17-vjeçare, në të cilin vetëm pas nëntë muajve arriti finalen e parë, të cilën e dorëzoi, pasi që kundërshtar e kishte trajnerin e tij. Me këtë gjest ai fitoi respekt, e që më vonë e solli edhe në piedestalin më të lartë të ringjeve profesioniste në kikboks.
Shumë shpejt nuk pati titull që nuk e fitoi në Gjermani. Titulli i parë i tij në nivel Evrope erdhi në vitin 1988, kur u shpall më i miri në versionin KA, në garën e mbajtur në Lituani. Pastaj erdhi titulli i nënkampionit të botës në asociacionin WAKO, që edhe ia hapi dyert profesioniste kosovarit.
Në vitin 2002 e kishte ndërprerë shkurtazi aktivitetin e tij, pas disa mosmarrëveshjeve me trajnerin e tij, Davut Sidal, ngase ai nuk i kishte ofruar mundësinë që të ndjekë titujt e mëdhenj të kikboksit profesionist.
Kabashi u rikthye në ring pas pesë viteve, në vitin 2006. Në marsin e vitit 2007 nëpërmjet klubit të vëllezërve kroatë Steko, doli për herë të parë në ring dhe menjëherë filloi të fitojë tituj të rinj, atë WKA të Evropës, në peshat +95 kg, kur e mposhti turkun Yahya Gülay me nokaut teknik në raundin e katërt.
Këtë titull Kabashi e mbrojti tre herë në vitin 2009. Krahas këtij sporti ekstrem kampioni shqiptar kishte edhe pasione të tjera, në veçanti muzikën, fotografinë dhe shtazët. (Zëri)
Monday, 05 December 2011 11:21