Tiranë – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagoi sot me anë të një deklarate për shtyp, ndaj korreve raciste të tifozëve maqedonas në stadiumin e Prilepit gjatë ndeshjes miqësore të futbollit mes përfaqësueseve tëMaqedonisë dhe Shqipërisë të përfunduar me rezultatin 0-0.
“Fyerjet e tifozave maqedonas u drejtohen të gjithë bashkëkombasve tanë, përfshi edhe ata të cilët luajnë me fanellën e Maqedonisë”, thekson PDIU.
Sipas PDIU, autoritetet shqiptare dhe maqedonase duhet të reagojnë dhe partitë shqiptare në Maqedoni duhet të frenojnë këto akte.
“Këto fyerje duhet të gjejnë përgjigje të menjëhershme nga autoritetet shqiptare dhe maqedonase, sidomos nga partitë shqiptare në Maqedoni, ku harmonia ndërmjet dy etnive duhet të jetë bazë e shtetit maqedonas”, nënvizon PDIU.
PDIU vijon se, “nëse kjo harmoni nuk arrihet, atëherë Maqedonia nuk mund të pretendojë të ardhme evropiane si shtet”.
Sipas PDIU, kombi shqiptar është më i vjetri në Ballkan dhe nuk mund të pranojë fyerje nga askush. “Kombi shqiptar, si kombi më i lashtë në Ballkan nuk mund të pranojë fyerje nga asnjë komb tjetër, e nga asnjë grupim, sidomos në momentin kur shteti maqedonas mbahet në këmbë pikërisht nga bashkëkombësit tanë. Reagimi i menjëhershëm i autoriteteve maqedonase dhe sidomos i partive shqiptare aty është tashmë një domosdoshmëri”, përfundon PDIU.
Wednesday, 16 November 2011 18:15