Leo Messi ka lindur më 24 qershor 1987 në Rosario, Argjentinë. Talenti i tij si yll futbolli u shfaq që në moshën e re. Ai luante për ekipin Newell’s Old Boys, që asokohe ishte ekipi i parë në Rosario. Leo u largua nga Rosario në vitin 2000, por para se të largohej, atij ju shfaq mangësi në hormonin e rritjes. Ndërkohë, në një tjetër kontinent, Karlos Reksah, ish-futbollist i Barçës dhe Johan Krojf i bëjnë me dije Barçës se kishin zbuluar në Argjentinë një talent të rrallë futbolli. Pasi u shpërngul në Barcelonë, ai zhvillohej dalëngadalë me ekipet e të rinjve të Barçës. Ai bëri paraqitjen e parë të tij me ekipin e Barçës kundër FC Portos, që asaj kohe udhëhiqej nga Mourinho. Messi kishte vetëm 16 vjet, 4 muaj e 23 ditë.
Suksesi për Leon arriti kulmin në vitin 2005, ku me kombëtaren e Argjentinës U-20 fitoi Kupën e Botës, dhe njëkohësisht shpallet lojtari dhe golashënuesi më i mirë i atij kompeticioni. Leo debutimin e tij në ekipin e parë të Argjentinës e bëri në vitin 2005 kundër Hungarisë, ku qëndroi vetëm 3 minuta në ndeshje. Në kompeticionin Kupa e Botës 2006, Leo luajti si lojtari më i ri në një Kupë të Botës dhe si zëvendësues në ndeshjen kundër Serbisë, ku shënoi një gol në fitoren e thellë 6-0 të Argjentinës.
Pas Kupës së Botës, Leo dhe Barça në vitin 2006 fituan La Ligan dhe Champions Leaguen. Në vitin 2007 Leo shkëlqeu sidomos në ndeshjen kundër Real Madridit, që përfundoi me rezultatin Barcelona 3 – 3 Real Madrid, e ku Messi i shënoi të tre golat per Barçën. Në vitin 2007 ai kishte realizuar 14 gola në 26 ndeshje.
Sezoni 2008/09, ishte sezoni blaugrana. Barça në krye me Leon këtë sezon arritën që t’i fitonte të gjashtë kupat e mundshme që mund të fitoheshin, pasi mposhti 2 herë Real Madridin në La Liga (Barcelona 2 – 0 Real Madrid dhe Real Madrid 2 – 6 Barcelona) ata mposhtën edhe Manchester Unitedin në finalen e madhe të Romës, ku, si zakonisht një yll shkëlqeu në mes të tjerëve, e ai ishte Leo Messi, po ashtu me golin e tij fantastik kundër Estudinates, i siguroi Barçës Mondialin e Klubeve. Leo në këtë vit e fitoi dhe “Topin e Artë”, i cili ishte i pari në karrierën e tij.
Sezoni 2009/10 për Barçën dhe Leon sjell vetëm një trofe, atë të La Ligas. Po ashtu, në këtë sezon Barça dhe Leo vazhdonin t’i mbanin leksione futbolli falas, Real Madridit. Ata fituan në ndeshjen e parë 1:0 në Nou Camp, kurse ndeshja e dytë u mbyll me rezultat 0:2 në të mirë të Barçës, në Bernabeu. Si zakonisht, Leo dhe Xavi, pasi e “dogjën” krejt mbrojtjen e Real Madridit arritën që ta gjejnë rrjetën. Si dhe vitin e kaluar edhe këtë vit ai e fitoi “Topin e Artë”, të dytin radhazi.
Në sezonin 2010/11, Leo vetëm vazhdonte të luante, sulmonte dhe të shkatërronte çdo mbrojtje që i dilte përpara. Leo ishte njëri nga lojtarët më të mirë në EL Classicon e 29 Nëntorit të vitit 2010, ku Barça e çmontoi Real Madridn me rezultat 5-0. Pasi ia bëri sërish bajat futbollin krejt ekipit të Real Madridit, duke shënuar 2 gola në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Champions Leagues, që luhej në Bernabeu, ai e ndihmoi Barçën që të kalonte në finalen e Champions Leagues. Për ta vënë “qershinë mbi tortë”, ai përkujdeset që me njërën nga paraqitjet e tij më të mira t’ia sigurojë Barçës titullin e 4-të të Champions League.
Dy herë fituesit të “Topit të Artë”, siç shihet, do t’i vijë ngadalë këtë vit dhe i treti.
Disa thënie nga sportistët për Lionel Messin:
Gazetari sportiv, Chad Nielsen: “Vetëm Messi e ka kuptuar se sa i shkëlqyer ishte Maradona”.
Pep Guardiola: “Ndonjëherë do t’ju tregoj nipave të mi, se unë e kam stërvitur Lionel Messin”.
Diego Maradona: “Unë sot kam parë një lojtar që do të trashëgojë vendin tim në futbollin argjentinas, dhe emri i tij është Lionel Messi”.
Frank Rijkaard: “Ai është unik dhe e meriton këtë emër, ai mund të bëjë gjëra që nuk janë parë ndonjëherë në futboll”.
Carlos Tevez: “Shpejtësia e tij është e habitshme, unë vazhdimisht kam luajtur me lojtarë të mëdhenj si C. Ronaldo apo Rooney, por ky djalë është një hap më përpara se çdo futbollist tjetër. Lëvizja e tij me topin është fantastike dhe e pamundur për ta përshkruar”.
Juan Sebastian Veron: “Sa herë që Messi e ka topin në këmbë, mua më duket se po shikoj Maradonën, ne duhet ta mbrojmë atë, për çdo gjë”.
Gilberto: “Kemi luajtur në shumë vende, por kurrë nuk kam shikuar që tifozëria rivale të na mbështesë. Mbi 40 mijë tifozë brazilianë e përshëndetën Messin, e kur i shikoja ata që e duartrokisnin Messin, unë u mërzita”.
Jose Mourinho: “Mënyra më e mirë për të ndaluar Messin, është që ekipi juaj të luajë me 11 lojtarë, 1 lojtar ta këtë gjithmonë nën kujdes, ndërsa 10 të tjerët ta ndihmojnë atë”.
Karl Heinz Rummenigge: “Në moshën 19-vjeçare , asnjë nuk luante kaq bukur si Messi, as Pele dhe as Maradona”.
Fernando Gago: “Messi është lojtari më i mirë në botë, unë gjithmonë e falënderoj Zotin, që ai është një argjentinas”.
Theirry Henry: “Unë kam mundësinë për ta parë Messin në trajnim çdo mëngjes, është një kënaqësi për ta parë atë dhe mënyra se si luan e bën atë të jetë një lider i padiskutueshëm i ekipit të Barcelonës”.
Antonio Cassano: “Ronaldinho është më i mirë se Cristiano Ronaldo, por asnjëri nga këta dy, nuk është si Lionel Messi”.
Carles Puyol: “Ai është një lojtar spektakolar dhe asnjë tjetër nuk është si ai”.
Ronaldinho: “Çdo herë qe ai luan, më kujton Maradonën, ai është shumë i shkurtër dhe i shpejtë. Një ditë unë do t’ju shpjegoj të gjithëve se jam stërvitur me lojtarin më të mirë në botë, i cili quhet Lion’el Messi”.
Marcello Lippi: “Më i miri? Lionel Messi”.
Arsene Wenger: “Ai është më i mirë se në Play’Station”.
Dani Alves: “Lion’el Messi? Kur unë isha futbollist i Sevillas, e kisha shumë të vështirë ta mbaja, kështu që tani jam krenar që luajmë për të njëjtin ekip. Ai është vetëm fantastik”.
Mikel Arteta: “Kur luan Lion’el Messi, është sikur dikush e urdhëron atë me një telekomandë Play Station, unë kurrë nuk kam parë një njëri që e përdorë aq mirë topin, me një shpejtësi aq të madhe”.
Raul Gonzales Blanco: “Një ditë unë isha duke shikuar një ndeshje të tij, ai ishte duke ecur me topin me një shpejtësi njëqind për qind të plotë, unë nuk e di se sa herë e preku topin, por topi gjithmonë qëndronte afër këmbeve të tij, ai bënë gjëra të pabesueshme”.
Johnny Heitinga: “Unë kam luajtur kundër Barcelonës, dhe problemi ishte se Lionel Messi ishte thjesht i pandalshëm”.
Xavi: “Është e qartë se Messi është në një nivel më të lartë se të gjithë futbollistët tjerë. Ata që nuk e shohin ketë, janë të verbër”.
Monday, 27 June 2011 21:15