Një gjykatë në Hungari ka dënuar 45 persona për përfshirjen e tyre aktive në manipulimin e 32 ndeshjeve të futbollit në sezonet e kaluara. Kjo çështje gjyqësore po ndiqet paralelisht edhe nga Europol si dhe shumë shtete të tjera, pasi shtetasit hungarezë të përfshirë, kanë qenë protagonistë në manipulimin e ndeshjeve të futbollit në vende të ndryshme.
Një prej organizatorëve kryesorë të këtij grupi kriminal me qendër në Azi, është ish-mesfushori i Tiranës, Zoltan Kenesei, i cili ishte një nga shefat e grupit hungarez që operonte në Evropë. Kenesei dhe bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet ryshfeteve kanë arritur të manipulojnë me sukses në total 32 ndeshje futbolli.
Sipas prokurorit të çështjes, në listën e ndeshjeve bëjnë pjesë dy takime ndërkombëtare moshash, një ndeshje ndërkombëtare mes përfaqësueseve të mëdha, tre ndeshje të kategorisë së parë në Finlandë, një ndeshje e Serie A në Itali, 11 ndeshje të kampionatit hungarez, 2 ndeshje të Kupës së Hungarisë, 5 ndeshje të Kupës së Ligës së Hungarisë, 4 ndeshje të kampionatit hungarez U-19, një ndeshje ndërkombëtare përgatitore verore mes dy klubeve dhe një ndeshje për titull në kampionatin e rajoneve të Hungarisë.
Lista me 45 persona përfshin lojtarë futbolli, gjyqtarë, pronarë klubesh, trajnerë dhe menaxherë, ndërsa bie në sy fakti se tashmë ka një akuzë dhe një dënim në mungesë për të famshmin “Dan”, shtetasin nga Singapori i cili është kreu i kësaj organizate kriminale ndërkombëtare që ka fituar me dhjetëra miliona euro nëpërmjet manipulimit të ndeshjeve në vitet e fundit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 23 May 2013 19:10