Shefi i skuadrës Red Bull të Formula 1, Kristian Horner, ka konfirmuar se Sebastian Vetel nuk ka asnjë marrëveshje me Ferrarin dhe pritet të qëndrojë te ekipi aktual për shumë vite në vazhdim. Ndonëse spekulimet pritet të vazhdojnë në të ardhmen, shefi i pilotit gjerman ka dhënë versionin e tij të ngjarjeve.
“Unë kam folur me Sebastian dhe ai e ka bërë shumë të qartë se as ka patur dialog e as ka firmosur me Ferrarin. Spekulimet dhe zërat për lëvizje të pilotëve nuk do të përfundojnë kurrë”, tha Hotner.
Vetel ka fituar dy titujt e fundit kampion me Red Bull dhe është aktualisht i katërti në renditjen e kampionatit botëror, 26 pikë pas kryesuesit Alonso kur janë zhvilluar vetëm 8 gara të këtij sezoni. Spekulimet për një kalim te Ferrari u rritën më shumë javën e shkuar, kur shefi i ekipit italian, Stefano Domenikali, deklaroi se si mund të “bashkëjetonte lehtësisht” me spanjollin Fernando Alonso.
“Mendoj se pjesa më e madhe e skuadrës tonë ka kaluar te Ferrari në një pikë të këtij sezoni, duke filluar nga Adrian Njuei, Mark Ueber, Sebastian Vetel apo edhe unë”, tha Horner me humor. “Sebastian ndjehet i kënaqur te Red Bull dhe Red Bull ndjehet e kënaqur me Sebastian. Ai ka qenë pjesë e kësaj skuadre për 12 vite dhe mendoj se do të jetë me ne edhe për shumë vite të tjera. Nuk kam asnjë shqetësim për ku do të jetë Sebastian në vitin 2013, 2014 apo në vijim”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 July 2012 13:20