Radamel Falkao tashmë është kthyer në një prej emrave më të njohur të futbollit evropian dhe jo rastësisht kërkohet nga klubet më të mëdha. Sulmuesi që i dha fitoren Atletiko Madrid në finalen e Europa League, ka marrë revanshin e tij personal ndaj të gjithë kritikëve që e cilësonin të pamenduar mirë transferimin e tij nga Porto drejt skuadrës madrilene.
“Nuk mund ta përmbaj gëzimin, pas asaj që është thënë, sikur unë kisha gabuar duke zgjedhur Atletikon, unë i tregova të gjithëve se nuk kam bërë asnjë gabim. Ne kishim ulje e ngritje gjatë sezonit, por treguam se e meritonim këtë fitore. Goli i parë? Nuk kisha kënd goditje ndaj kërkova pak hapësirë. Më kanë këshilluar gjithmonë që të gjej shtyllën më të largët, këtë radhë i dëgjova këshillat”, u përgjigj ai për golin spektakolar që shënoi në këtë sfidë.
Më pas, Falkao ka folur për të ardhmen duke bërë të qartë se nuk dëshironte të largohej nga kjo skuadër, ndonëse mund të mos ketë shanse të luajë edhe në sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve.
“Nuk e dimë nëse Atletiko do të luajë në Ligën e Kampioneve apo në Europa League në vitin e ardhshëm. Do të bëjmë maksimumin që të shkojmë në turneun më të rëndësishëm. Çfarë do të bëj unë? Kam edhe katër vite kontratë me këtë klub dhe që tani kam filluar të mendoj për sezonin e ardhshëm këtu, që do të jetë edhe më entuziazmues”, tha sulmuesi 26 vjeçar i cili i kushtoi madrilenëve 40 milionë euro. (LajmeShqip.com)
Thursday, 10 May 2012 12:30