Sheikët arabë janë kthyer në modën e fundit në Evropë dhe të gjitha klubet e futbollit presin me padurim partneritetin me personat që kontrollojnë naftën. Por kjo mani ka bërë që të lulëzojnë edhe mashtruesit, e këtë e ka mësuar në kurrizin e vet presidenti i Getafes, Angel Torres.
Një grup mashtruesit, të cilët u prezantuan si përfaqësues të një sheiku, kontaktuan me Torres dhe i premtuan atij 10 milionë euro investime. Ky i fundit, u bind plotësisht, por për fatin e mirë, banda e mashtruesve zbulua para se ata t’i vidhnin atij para për fillimin e marrëveshjes së përbashkët.
Para tij, kjo bandë mashtruesish kishte tentuar të mashtronte mes shumë kompanive të tjera edhe klubin e Espanjol, por pa sukses. Ata u prezantonin të interesuarve edhe fotot me sheikun e rremë, i cili në fakt ishte një kamerier brazilian që paguhej 50 euro për t’u veshur si sheik arab e për të tundur kokën në shenjë pohimi.
Mashtrimi ishte perfeksionuar aq shumë sa me paratë e fituara kishin siguruar edhe një vile luksoze në Barcelonë ku sheiku “fals” ftonte viktimat, ndërsa u organizonin edhe udhëtime në Dubai apo vende të tjera arabe, para se t’i zhvatnin atyre shuma të mëdha nga llogaritë bankare. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 June 2012 16:27