Domingo Cisma vazhdon të jetë i irrituar për përjashtimin me karton të kuq gjatë ndeshjes së skuadrës së tij kundër Realit të Madridit në takimin e fundjavës.
Mbrojtësi i Racing Santander ka akuzuar hapur gjyqtarët e ndeshjes, ndërsa nuk ka kursyer thumbimet as ndaj Kristiano Ronaldos.
“Në ndeshjen e parë, Kristiano nuk më dha dorën në fund të takimit. Kjo është një sjellje fëminore, nuk dinë të humbin. Por unë këtë radhë ia ktheva njëlloj borxhin, nuk ia dhashë dorën në “Santiago Bernabeu” në fillimin e ndeshjes”, u shpreh Cisma në një intervistë të dhënë për “Ona FM”.
Më pas, ai ka folur për gjyqtarët, të cilët sipas tij kanë ndikuar në mënyrë të dukshme ndeshjen në favor të Realit.
“Shanset tona për të marrë pikë u shkatërruan pas largimit tim të padrejtë me karton të kuq dhe golit në pozicion jashtë loje që i akorduan Realit. Gjyqtarët nuk përdorën të njëjtën masë matëse për gjykimin e ndeshjes, drejtuan në bazë të fanellës që mbanin veshur lojtarët. Dihet që gjyqtarët vërshëllejnë të ndikuar dhe më qëllim kur gjykojnë ndeshjet e Realit të Madridit”, ishin fjalët e tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 February 2012 17:25